Qeveria maqedonase dorëzoi në Parlament draftin e ndryshimeve kushtetuese, ndërkohë që debati për to pritet të nisë brenda pak ditësh.

Të konsideruara si thelbësore, ndryshimet e shumëdiskutuara kanë të bëjnë me ndërrimin e emrit sipas marrëveshjes së Prespës në “Republika e Maqedonisë së Veriut” dhe futjen në preambulë të historisë së ASNOM-it (Lidhjes Antifashiste për Lirinë e Maqedonisë), që shikohet si vënia e themeleve të shtetësisë së Maqedonisë pas Luftës së Dytë Botërore.

Një propozim-amendament tjetër siguron respektimin e sovranitetit, tërësisë tokësore dhe pavarësinë politike të shteteve fqinje, ndërsa saktëson pacënueshmërinë e kufijve dhe heq çdo mundësi të pretendimit territorial nga ana e Republikës së Maqedonisë.

Amendamenti i katërt ka të bëjë me kujdesin ndaj maqedonasve, shtetasve të Maqedonisë në diasporë dhe vende të tjera, kujdes ky që shkon te niveli i të drejtave të tyre kulturore, ekonomike e sociale, pa u përzier në punët e brendshme dhe të drejtën sovrane të shteteve respektive.

Pritshmëritë e qeverisë janë që të gjithë ligjvënësit t’i votojnë ndryshimet pa dallime partiake, me argumentin se, në këtë mënyrë do të respektohej vullneti i gati 80% të qytetarëve maqedonas që votuan në referendum.

Por, sinjalet që mbërrijnë nga partia më e madhe opozitare, VMRO-DMPNE, tregojnë se drejtuesit e saj nuk kanë ndërmend të ndryshojnë linjën e ndjekur deri më tani. Kjo forcë politike vazhdon të këmbëngulë se Zoran Zaevi nuk la legjitimitetin të ndërrojë emrin e Republikës së Maqedonisë dhe identitetin, historinë, kulturën e traditën e popullit maqedonas.

Që ndryshimet të miratohen nevojitet një shumicë të cilësuar, apo 2/3-tat e votave të deputetëve në Parlament, vota këto që mazhoranca në pushtet nuk i ka aktualisht.

Top Channel