Google do të mbyllë pjesën më të madhe të rrjetit të saj social, Google+ pasi të dhënat e përdoruesve duket se kanë mbetur të ekspozuara.
Kompania tha se një problem në softuerin e saj ka bërë që informacione që njerëzit besonin se ishin private, të ishin të aksesueshme nga palë të treta. Google tha se rreth 500 mijë përdorues janë prekur. Sipas një raporti në “Wall Street Journal”, kompania ishte në dijeni të ngjarjes që në mars, por nuk e kishte bërë publike këtë.
WSJ citon një memo të brendshme të Google, që nënvizonte se nëse ngjarja do të bëhej publike, do të ndizte interes të menjëhershëm të rregullatorëve. Në një deklaratë, kompania tha se problemi nuk kishte qenë aq serioz sa për të informuar publikun.
Google+ u lançua në vitin 2011 dhe menjëherë u bë e njohur si një përpjekje e dështuar për të konkurruar me Facebook-un. Tani, pas disa vitesh spekulimi që ajo do të mbyllej, Google e çon Google+ drejt fundit.
Kompania thotë se do të vazhdojë të ofrojë rrjete private për bizneset që aktualisht e përdorin softuerin. Në të shkuarën, kompania ka hezituar të publikojë të dhëna për përdorimin e Google+, por tani përballë problemit të ekspozimit të të dhënave, ajo duket se po tenton të minimizojë pasojat. Versioni i Google+ për konsumatorët ka përdorim të ulët, thotë ajo.
90% e sesioneve të përdoruesve të Google+ zgjasin më pak se 5 sekonda.
Top Channel