Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, parashtroi paraditen e së hënës platformën e quajtur “Çlirimi i Zgjedhjeve”, me anë të së cilës, sipas tij, do të mund të bëhet ndarja e politikës nga krimi.

“Vota në Shqipëri diktohet nga krimi, paratë e pista dhe presioni shtetëror. Problematika zgjedhore është evidentuar edhe në raportin e fundit të OSBE-ODIHR-it. Kemi nevojë urgjente për të çliruar votën nga krimi dhe jo për amendime fasadë”, deklaroi Basha.

“Po nuk u nda politika nga krimi nuk ka shans për zgjedhje të lira e të ndershme. Ngjarjet kriminale të ditëve dhe javëve të fundit kanë patur një të përbashkët: kudo ku ka krime të rënda ka lidhje të autorëve me zgjedhjet”, shtoi kreu i PD-së.

Basha theksoi se opozita nuk konkurron me socialistët, por me kriminelët. Kreu i PD-së shpalosi 4 pikat e platformës: “Platforma e opozitës konsiston në dekriminalizimin e procesit zgjedhor, sistem masash kundër shit-blerjes së votës, financim shtetëror i fushatës dhe numërimi elektronik i votave”.

Top Channel