Kandidati i së djathtës ekstreme, Jair Bolsonaro ka fituar raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Brazil. Ai do të përballet me kandidatin e krahut të majtë, nga Partia e Punëtorëve, Fernando Haddad, në balotazhin e 28 tetorit, pasi ka dështuar të fitojë 50 për qind të votave të nevojshme për të triumfuar.

Pas pothuajse të gjitha votave të numëruara, Bolsonaro ka fituar 46 për qind të votave, ndërsa Haddad 29 për qind. Në sondazhet e kryera para mbajtjes së zgjedhjeve është parashikuar se kandidatët do të jenë në garë të ngushtë në balotazh.

Bolsonaro ka thënë është i sigurtë se, nëse nuk do të kishte pasur “probleme” në sistemin elektronik të votimit të përdorur në Brazil, ai do të ishte fitues.

“Jam i sigurtë që nëse kjo nuk do të kishte ndodhur, ne do të dinim emrin e presidentit sonte”, është shprehur ai.

Megjithatë, ai nuk ka specifikuar se cilave “probleme” iu është referuar. Autoritetet zgjedhore në Brazil kanë thënë se procesi i votimit është zhvilluar paqësisht dhe pa ndonjë problem të madh.

Bolsonaro, katolik, ka fituar mbështetjen e shumë kishave, duke thënë se do të mbrojë vlerat e familjes, mirëpo ai ka deklaruar po ashtu se dëshiron të lehtësojë ligjet rreth armëve dhe ka thënë se synon të sjellë në fuqi ligjin për ndëshkim me vdekje.

Haddad, në anën tjetër, e ka përshkruar veten si kandidat besnik, duke thënë se ai “do të përdorë vetëm argumente, sepse ne nuk përdorim armë”. Brazilianët do të zgjedhin mes dy kandidatëve shumë të ndryshëm për president, në raudin e dytë të zgjedhjeve, më 28 tetor.

Top Channel