Gjykata e Tiranës vendosi masat e sigurisë “arrest me burg” për dy të plagosurit e ngjarjes së përgjakshme në bllok, mbrëmjen e së enjtes, Ervis Martinajt dhe Eljon Hato, të cilët akuzohen për vrasje për shkak të rrethanave cilësuese ndaj më shumë se dy personave, e kryer në bashkëpunim dhe e mbetur në tentativë.
Seancat u zhvilluan në ambientet e spitaleve ku janë shtruar të plagosurit.
Pas këtyre seancave të pazakonta, të dy avokatët e të akuzuarve janë shprehur se klientët e tyre janë viktima në këtë ngjarje dhe se nuk ka asnjë provë për akuzën e vrasjes në rrethana cilësuese.
Por, pavarësisht pretendimit të avokatëve dhe faktit që dy të akuzuarit ndodhen në spital për ndihmë mjekësore, gjyqtari Artan Gjermeni ka vendosur që të pranojë kërkesat e prokurorisë, duke vendosur ndaj Ervis Martinajt dhe Eljon Hatos masat e sigurisë “arrest me burg”.
Për këtë ngjarje janë në kërkim edhe 3 persona të tjerë: Ervin Mata, Fabjol Alushi dhe Mervjol Bilo, ky i fundit efektiv i forcave komando, i cili dyshohet se ka qëlluar me armë duke vrarë Fabiol Gaxhën dhe plagosur Ervis Martinin dhe Eljon Haton.
Në lidhje me këtë ngjarje policia ka ndaluar në tentativë për të kaluar në Greqi edhe Geldo Hotin, mik i komandos Bilo, i cili gjithashtu dyshohet se ka qëlluar me armë në lokal. Pista kryesore mbetet ngacmimi i këngëtares Elvana Gjata, që dyshohet se solli përplasjen e armatosur. Palët thuhet se kishin debatuar një javë më parë, por policia po heton edhe pista të tjera, të cilat përfshijnë borxhe në shuma të mëdha parash apo pagesa të pakryera.
Top Channel