Paketa “antishpifje” e Ramës. Gazetarët: Sa herë plas një skandal, nismë për të tërhequr vëmendjen

07/10/2018 15:18

Sa herë që në politikën shqiptare ka tension dhe plas një skandal, politikanët gjejnë diçka të re për të tërhequr vëmendjen. Politologët dhe gazetarët në këtë këndvështrim e shohin edhe paralajmërimin e kryeministrit Edi Rama për një paketë ligjore antishpifje.

Gazetari Enton Abilekaj shprehet: “Ajo që ngjan me 2015-n është se atëherë e tha pasi doli Zagani dhe denoncoi lidhjet e ish-ministrit Tahiri me Habilajt dhe këtë herë e bën pasi Emiljano Nuhu denoncoi rastin e Xhisiela Malokut. Është qartësisht një lëvizje për të dalë nga situata dhe për të shpërqendruar vëmendjen”.

Gazetari Carlo Bolino, i cili e ka fituar përballjen për shpifje ndaj një politikani, problemin nuk e sheh tek reformimi i legjislacionit. Për të, ligjet janë të mjaftueshme, problemi është diku tjetër: “Shpifja kundër politikanit është teorikisht e ndëshkueshme nga gjykata, problem tjetër që ka ndikime politike që gjykata nuk zbaton ligjin. Nga një krah duhet reformuar drejtësia për të minimizuar ndikimin ose për ta hequr ndikimin dhe nga ana tjetër të zgjerohet fusha kundër shpifjes, duke identifikuar pronarët e medias”.

Për politologun Afrim Krasniqi, çdo lloj zgjidhjeje është e dështuar nëse më parë nuk forcohet kulutura e përgjegjësisë tek vetë politikanët dhe tek media: “Nëse një politikan do të ndryshojë diçka, duhet që të kërkojë falje për akuzat që ka bërë. Të gjithë e mbajnë mend listën e zyrtarëve më të korruptuar të publikuar nga kryeministria dhe që rezultoi se ishte një thashethem. Që në momentin që nuk çohet në drejtësi, atëherë dikush ka shkelur ligjin. Edhe ish-kryeminstra të tjerë kanë nxjerrë emra dëshmitarësh në media. Nga politikanët duhet rritur kultura si dhe sistemi imunitar shoqëror. Duke respektuar kodet brenda qeverisë dhe medias, kjo do të jetë zgjidhja. Ndryshe, çdo lloj zgjidhjeje do të jetë e dështuar dhe afatshkurtër”.

Prej disa ditësh, Edi Rama paralajmëron opinionin publik dhe opozitën se do të propozojë një paketë ligjore antishpifje pas akuzave të demokratëve se dy deputetët dhe kryebashkiaku socialist kanë kërcënuar me armë në komisaritatin e Fushë-Krujës oficerin Emiljano Nuho që bëri publik rastin e Xhisiela Malokut.

Top Channel