Ditën e diel do të luhen 4 ndeshje të javës së 8 të Kategorisë Superiore. Flamurtari do të luajë sërish në transfertë, këtë radhë ndaj Kamzës, ku vlonjatët do të kërkojnë të harrojnë humbjen ndaj Laçit në mesjavë dhe të kthehen te fitorja.
Trajneri Daja është i ndërgjegjshëm për vështirësitë e kësaj përballjeje dhe këtë ai e deklaroi në një konferencë për shtyp.
“Na pret një ndeshje e vështirë me Kamzën, pasi kjo e fundit vjen nga një gjendje jo shumë e mirë, pasi nuk ka fituar në ndeshjet e fundit. Ne do të shkojmë në Kamëz për t’u kthyer te fitoret”, tha Ilir Daja, trajner i Flamurtarit.
Ndërkohë, futbollisti Arti Pollozhani e vuri më shumë theksin te gabimet arbitrare në dëm të Flamurtarit, duke iu referuar një penalltie të padhënë në Laç.
“Që Flamurtari të fitojë një penallti duhet të jetë 200% e pashmangshme. Shpresojmë që ndaj Kamzës arbitrimi të jetë më i mirë dhe ndeshjen ta fitojë skuadra që e meriton më shumë”, tha Arti Pollozhani.
Përveç ndeshjes Kamza-Flamurtari, të dielën do të luhen edhe Tirana-Laçi, Luftëtari-Skënderbeu dhe Teuta-Kastrioti. Por, vëmendja më e madhe për këtë javë të Kategorisë Superiore do të jetë e përqëndruar te sfida mes Kukësit dhe Partizanit, që do të luhet ditën e hënë.
Top Channel