Rasti “Babale”, reagon Basha: Rama i “vuri zjarrin” shtetit ligjor, ta rrëzojmë mafian në pushtet

06/10/2018 15:21

Vetëm pak minuta më parë u publikuan analizat e audio-përgjimit të “Babales”, ku implikohej vëllai i Ministrit të Brendshëm, Geron Xhafaj, dhe sipas laboratorit anglez, gjithçka është e montuar.

Menjëherë ka reaguar edhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, që nëpërmjet një postimi në Twitter, tha se me prokurorinë Rama-Marku, Xhafa-Prela, nuk mund të pritej rezultat tjetër.

Lideri i PD-së theksoi se vëllai i ministrit u largua me urgjencë drejt Italisë, për të shmangur përballjen me hetimet, ndërsa tha se “Edi Rama i ka vënë zjarrin shtetit ligjor”.

Ja postimi i plotë i Lulzim Bashës:
Kush priste diçka tjetër nga prokuroria Rama-Marku-Xhafa-Prela, është vetëm naiv. Agron Xhafaj që i fshihej prej 5 vitesh drejtësisë me ndihmën e vëllait, u largua me urgjencë drejt Italisë, që të mos përballej me hetimin dhe akuzat që prokuroria e kapur i quan sot montim.

Sot çdo shqiptar e kupton më qartë se kurrë pse Edi Ramës i duhej prokuroria nën komandën e tij. Me aktin e sotëm, Rama i ka vënë zjarrin shtetit ligjor. Tani nuk ka mbetur rrugë tjetër për të vënë banditët para përgjegjësisë, përveç rrëzimit me çdo mjet të mafias në pushtet.

Top Channel