Objektivat e përcaktuara në planin e buxhetit të Italisë janë një “burim shqetësimi serioz”, tha Komisioni Europian në një letër të botuar në të përditshmen italiane “La Repubblica” mbrëmjen e të premtes.

“Ne u bëjmë thirrje autoriteteve italiane që të sigurohen që buxheti të jetë në përputhje me rregullat e përbashkëta fiskale dhe të shikojmë përpara për të parë detajet e masave”, thuhej në letrën e nënshkruar nga nënkryetari i Komisionit Valdis Dombrovskis dhe Komisioneri i Çështjeve Ekonomike të BE Pierre Moscovici.

Të përditshmet italiane publikuan vetëm fragmente të letrës, e cila ishte dy faqe e gjatë dhe u dërgua të premten te ministri italian i Ekonomisë, Tria. Të dy zyrtarët thanë gjithashtu se Komisioni i BE-së ishte “në dispozicion për dialog konstruktiv”.

Qeveria italiane këtë javë zbuloi thelbin e planit ekspansionist të buxhetit shumëvjeçar, duke rritur objektivin e deficitit fiskal në 2.4 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto vitin e ardhshëm, tri herë më shumë se qëllimi prej 0.8 për qind, i vendosur nga administrata e mëparshme e qendrës së majtë.

Deficiti parashikohet të zbutet gradualisht në dy vitet e ardhshme, në 2.1 përqind dhe pastaj 1.8 përqind, duke mbetur shumë më lart se objektivat e rënë dakord më parë me Komisionin Evropian.

Moscovici ka paralajmëruar tashmë se paketa nuk mund të respektojë rregulloret e BE-së, por zëdhënësja e Komisionit tha të premten se Brukseli do të reagonte ndaj planit të buxhetit vetëm kur të dorëzohej zyrtarisht brenda afatit të 15 tetorit.

Top Channel