James Bond nuk do të jetë kurrë femër dhe këtë e pohon producentja ekzekutive e serisë së filmave të famshëm. Barbara Broccoli, që është në krye të kastit të “007”, thotë për the Guardian: “Bond është një mashkull. Është një karakter mashkullor, roli është i shkruar për një mashkull dhe unë mendoj se i tillë do të qëndrojë. Dhe këtu nuk ka ndonjë problem. Nuk kemi përse t’i kthejmë karakteret mashkullore në femra”, thotë ajo.
Ylli aktual i serisë Bond, Daniel Craig ka sugjeruar se filmi i radhës që do të dalë në kinema në 2020-ën, do të jetë i fundit i tij si “007”. Idris Elba është përmendur më parë si një nga pasuesit në rol, pasi vetë ai postoi në Twitter një mesazh të kriptuar që e la të kuptohej një gjë të tillë.
Të tjerë ndërkohë kanë aluduar se “007” e radhës mund të jetë një grua. Sidoqoftë, 58-vjeçarja Broccoli, thotë se në vend që të bëhet lobim për një James Bond femër, të gjithë ata që punojnë në industrinë e filmit duhet të punojnë për të krijuar më shumë karaktere femërore dhe për t’i bërë historitë të përshtatshme për to.
Babai i saj, Albert Broccoli, ka prodhuar më herët shumë filma të serisë Bond, dhe ka shfaqur më herët mbështetje për femrat që punojnë në industrinë e filmit.
Xhirimi i skenave të Bondit të ri do të nisë më 4 mars dhe filmi do të dalë në kinema në shkurt të 2020. Filmi i fundit i serisë së famshme, “Spectre”, doli në 2015.
Top Channel