Zgjedhjet sipas PS, paraqitet projekti për reformën, pa pëlqimin e PD

05/10/2018 15:14

Depolitizimi i administratës zgjedhore është risia kryesore e propozimeve të Partisë Socialiste për ndryshimin e Kodit Zgjedhor. Top Channel disponon draftin që pritet të prezantohet publikisht dhe zyrtarisht javën e ardhshme, ku bie në sy përzgjedhja me short dhe jo më nga partitë politike e anëtarëve të 3 strukturave: të KZAZ-së, të Komisionit të Qendrës së Votimit dhe anëtarëve të Grupeve të Numërimit të Votave.

Për KZAZ-në, propozimi i PS është që të përbëhet nga 3 anëtarë dhe sekretari joanëtar, të cilët përzgjidhen nga KQZ me short, pasi kanë kaluar kurset e trajnimit si administratorë zgjedhorë. Komisionet e Qendrave të Votimit propozohet të përbëhen nga 3 anëtarë, ndërsa Grupet e Numërimit të Votave nga dy anëtarë, të cilët zgjidhen me short nga KZAZ. Në të treja rastet, modalitetet dhe procedurat e shortit do të përcaktohen nga KQZ.

Për të shmangur fenomenin e Lezhës me PS-në dhe Beratit me PD-në, ku kandidatet gra në lista hiqnin dorë nga mandati për t’ia kaluar meshkujve, PS propozon që mandati t’i kalojë kandidatit me të njëjtën gjini në listat e partisë aleate, me herësin më të lartë. Në rast se partia politike ka garuar e vetme dhe vakanca nuk plotësohet nga gjinia më pak e përfaqësuar, atëherë partia ndëshkohet nga KQZ me gjobë 2 milionë lekë.

Kryetarët e partive angazhohen me shkrim që të mos përfshihen në blerjen e votave. Kufizohen paratë e shpenzuara në fushatë, ku shuma për një parti politike, përfshirë kandidatët e saj, nuk duhet të jetë më shumë se 2 herë më e madhe se shuma e përfituar nga shteti. PS kërkon gjithashtu që partitë të mos bëjnë reklama politike kundrejt pagesës 3 muajt para zgjedhjeve, ndërsa institucioneve shtetërore nuk u lejohet gjatë kësaj periudhe transmetimi i reklamave të paguara apo financuara prej tyre.

Top Channel