Nga përplasja me armë mbrëmjen e djeshme në Bllok u vra Fabiol Gaxha, truproja i Ervis Martinajt, ky i fundit dhe Eljon Hato janë duke u mjekuar në spital nën arrest, siguria e tyre po bëhet nga forcat speciale. Në kërkim janë tre persona një prej të cilëve ushtarak komando që mendohet se ka qëlluar tre personat pas një përleshje fizike.
Policia dhe forcat e ndërhyrjes së shpejtë u janë dashur të sigurojnë dy ambiente mbrëmjen e së enjtes, lokalin ku ndodhi ngjarja e përgjakshme dhe Spitalin e Traumës ku u dërguan për mjekim të plagosurit.
Mbrëmjen e së enjtes spitali ushtarak ka qenë në gjendje thuajse të jashtëzakonshme me dhjetëra forca policie dhe ndërhyrjes së shpejtë rrethuan perimetrin e spitalit ku ishin sjelle për mjekim dy të plagosurit e ngjarjes së përgjakshme në një lokal në Bllok, Ervis Martinaj dhe Eljon Hato.
Në orët e para të mëngjesit Ervis Martinaj është transportuar në Spitalin Amerikan 2, ndërsa aktualisht në Spitalin e Traumës po mbahet Eljon Hato, i cili është në reanimacion pas ndërhyrjes kirurgjikale.
Mjekët thonë se gjendja e tij është e stabilizuar edhe pse ka marrë plagë në kokë dhe bark.
Në reanimacion përveç bluzave të bardha janë edhe disa efektivë të policisë disa prej të cilëve të armatosur me armë automatike që ruajnë Haton, si nga frika e ndonjë hakmarrjeje të mundshme po aq edhe për faktin që është një i arrestuar për ngjarjen e përgjakshme.
Top Channel