8-vjeçarja gjen shpatën antike në liqen, “pagëzohet” Mbretëreshë e Suedisë?

05/10/2018 17:00

Një vajzë 8-vjeçare ka nxjerrë një shpatë 1.500-vjeçare nga një liqen në Suedinë jugore.

“Ndieva diçka në duar dhe mendova fillimisht se ishte një shkop”, thotë Saga Vanecek. “Më pas vura re se ishte një shpatë dhe thirra babain, për t’i thënë se kisha gjetur një shpatë”.

Zbulimi është bërë në korrik, por u publikua vetëm këtë javë, për shkak të frikës se mund të nxiste një dyndje njerëzish në Tanno, në brigjet e liqenit “Vidostern”.

Pavarësisht spekulimeve në mediet sociale, nuk kishte menjëherë një konfirmim se vogëlushja do të kurorëzohej “Mbretëreshë” e Suedisë, ashtu siç ndodh në legjendën e Mbretit Artur, me shpatën e ngulur në shkëmb dhe zonjën e liqenit.

Babai i 8-vjeçares, Andy Vanecek tha në Facebook se, shpata, që sipas ekspertëve daton nga shekulli i V apo i VI pas erës sonë, ishte ende në këllëfin e saj. Ai tha se i kërkonte të bijës me ngulm të dilte nga uji, pasi do të fillonte ndeshja finale e kampionatit botëror të futbollit, por ajo ishte e zënë duke kërkuar nën ujë.

Më pas ishte ndalur dhe kishte ngritur lart shpatën. Fqinjët i kishin thënë se artefakti i ndryshkur dukej i vjetër dhe një ditë më pas ata kishin takuar një arkeolog. Tani, me shpatën 85 centimetra të gjatë po merren kuratorët, që po përpiqen ta kthejnë atë në formën më të mirë të mundshme, pse jo për ta nxjerrë para syve të publikut sa më shpejt që të jetë e mundur.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel