Tajfuni i dytë që kërcënon vendin brenda një jave, “Bavi” bën kërdinë në Kinë, mijëra banorë të evakuuar
Spiunët rusë janë akuzuar për përfshirje në një seri komplotesh kibernetike në mbarë globin, duke bërë që Shtetet e Bashkuara të ngrejnë akuza ndaj 7 agjentëve.
Departamenti amerikan i Drejtësisë njoftoi se, shënjestra të sulmeve të Rusisë kanë qenë Agjencia globale e Armëve Kimike, agjencitë antidoping dhe një kompani bërthamore amerikane.

Akuzat janë pjesë e një operacioni të organizuar kundër sulmeve të supozuara kibernetike të Rusisë në të gjithë botën.
Më herët, Rusia kishte hedhur poshtë akuzat, duke folur për një “spiunomani të Perëndimit”. Deklarata e Shteteve të Bashkuara vjen pasi shërbimet holandeze të sigurisë thanë se kishin dëbuar 4 rusë në prill, në lidhje me një komplot kundër Organizatës për Parandalimin e Armëve Kimike.

Kjo e fundit ka hetuar sulmin kimik mbi një ish-spiun rus në Britaninë e Madhe. Në një deklaratë të përbashkët të kryeministres britanike, Theresa May, dhe homologut të saj holandez, Mark Rutte, thuhej se komploti i supozuar tregoi se GRU-ja (shërbimi informativ ushtarak rus) nuk respekton vlerat globale dhe rregullat që na mbajnë të gjithëve ne të sigurtë.

Më herët, qeveria britanike e ka akuzuar GRU-në se është pjesë e 4 sulmeve kibernetike të profilit të lartë, që kanë pasur në shënjestër kompani në Rusi dhe Ukrainë; Partinë Demokrate në Shtetet e Bashkuara dhe një rrjet të vogël televiziv në Britaninë e Madhe. Zyrtarët britanikë po diskutojnë madje me aleatët sanksione të mëtejshme kundër Rusisë.
Top Channel