Një veteran i Marinës nga Utahu ka rrëfyer se është ai dërguesi i 4 zarfeve me në përmbajtje farat prej nga prodhohet ricini, me destinacion presidentin Donald Trump dhe pjesëtarë të tjerë të administratës së tij.
William Clyde Allen III, 39 vjeç, e bëri këtë rrëfim teksa fliste me hetuesit, pas arrestimit në shtëpinë e tij në qytezën Logan, në veri të Salt Lake City, siç tregojnë edhe dokumentet e dorëzuara gjatë natës së të mërkurës në një gjykatë të Utahut.
Ai u ka thënë hetuesve se kishte blerë fara ricini dhe kishte dërguar letrat, që përmbanin të tilla produkte brenda. Por, dokumentet e dorëzuara në gjykatë për të justifikuar arrestimin e Allenit nuk tregonin askund se cili ishte motivi që e kishte shtyrë atë të bënte këtë veprim.
Hetues të shtetit të Utahut, që kanë bashkëpunuar me Byronë Federale të Hetimit kanë thënë se zarfet me fara ricini ishin postuar javën e kaluar për presidentin e SHBA, për drejtorin e FBI-së Christopher Wray, për Sekretarin e Mbrojtjes James Mattis, si dhe oficerin më të lartë të Marinës, admiralin John Richardson.
Autoritetet shprehen gjithashtu se, letrat u kapën përpara se të shkonin në destinacionet e tyre, ndaj dhe askush nuk ka mbetur i prekur nga simptomat e ricinit, të cilat nëse do të ndodhte e kundërta, do t’i shkaktonte të prekurit dëmtime të rënda deri në vdekje.
Deri më tani, asnjë avokat nuk është ngarkuar me mbrojtjen e Allen, ndërsa akuza federale pritet të jepet të premten.
Allen shërbeu si marins në vitet 1998-2002. Ai ka precedentë penalë në Utah, përfshi abuzim me fëmijët dhe përpjekje për agresion të rëndë.
Top Channel