“Fiks Fare” denoncoi mbrëmjen e së enjtes mungesën e matrikullimit dhe vaksinimit të kafshëve që tregtohen në Çërrave të Pogradecit. Tregu i ditës së enjte mblodhi tregtarë dhe blegtorë nga e gjithë zona e Pogradecit dhe Korçës, të cilët shitën lopë, viça, dele, dhi, kuaj etj..

Por, nga një vëzhgim rezultoi se dhjetëra kafshë shiteshin në këtë treg të pamatrikulluara.

“Fiksi” bisedoi me disa tregtarë, të cilët pranuan se këto kafshë janë madje të pavaksinuara. Ata pohuan me zë dhe figurë këtë problematikë të bartur, madje pretendojnë se shitja e kafshëve është bërë në “të zezë”. Sipas tyre, shumica e kafshëve që tregtohen në Çërravë shkojnë në disa thertore në Tiranë. Pra, mishi i këtyre kafshëve të pakontrolluara gjendet në tryezat e qindra qytetarëve.

Pas bisedave me tregtarë dhe blegtorë, “Fiksi” shkoi për të verifikuar gjendjen në treg. Gazetarët konstatuan se disa lopë nuk kishin matrikull në vesh, ndërsa nuk dihej origjina e tyre. Pronarët e tyre thanë se nuk kanë pasur mundësi matrikullimi, ndërsa shtuan se, megjithëse këto kafshë nuk janë të regjistruara, ata kishin vendosur t’i shisnin.

“Fiksi” bisedoi edhe me pronarin e tregut, i cili është një subjekt privat, i cili tha se “këto kushte janë në treg dhe disa janë plotësuar”. Ai pranoi se duhet më shumë, po aq mundësi ka dhe duhet një investim i madh që të plotësohen të gjitha kushtet. Sipas tij, të enjten tjetër nuk do të fusin më në treg kafshë të pamatrikulluara.

Gazetarët konstatuan se, në momentin që nisën xhirimin, në treg nuk kishte një veteriner. Ai erdhi disa minuta më vonë, ndërsa pranoi se kushtet nuk janë përmbushur të gjitha, që Çërrava të cilësohet një treg i mirëfilltë.

Një nga kushtet për sigurinë e kafshëve në treg është edhe një vend dezinfektimi i automjeteve. Në hyrje të tregut ishte një gropë, ku pretendohej se ishte me lëndë dezinfektuese. Por, në momentin e filmimit, gropa ishte e mbushur me baltë dhe ujë. Pronari dhe veterineri pranuan se kjo gropë nuk e përmbush funksionin e saj, ndërsa premtuan se do të rregullojnë disi gjendjen.

Pas problematikës, “Fiksi” shkoi në Drejtorinë e Bujqësisë në Korçë, ku kryeveterineri tha se ditën e xhirimit kanë qenë disa veterinerë në këtë treg, të cilët nuk kanë lënë kafshë të pamatrikulluara në mëngjes. Sipas tij, duke qenë se tregu nuk është i rrethuar, kafshët futen nga të gjitha anët dhe e kanë të pamundur që t’i kontrollojnë.

Më tej, ai i bëri thirrje Bashkisë së Pogradecit që të ndërhyjë për këtë gjendje, pasi në treg nuk ka një dhomë veterineri. Për gropën dezinfektuese, ai tha se nuk e bën funksionin. Ai pohoi se janë disa tregje në Qarkun e Korçës, si në Tujan, Ersekë dhe Poptisht, të cilët sipas tij janë më keq sesa tregu i Çërravës.

FOTO GALERI
1/6

Top Channel