Anija e parë joushtarake e shpëtimit, me flamur italian, që operon në Mesdhe që prej nisjes së krizës së emigrantëve, është larguar nga brigjet italiane për në ujërat e Libisë, në atë që konsiderohet si një sfidë e drejtpërdrejtë ndaj ministrit të Brendshëm të ekstremit të djathtë, Matteo Salvini.
Varkat e shpëtimit të organizatave joqeveritare thuajse janë zhdukur nga trajektoret kryesore të emigrimit, që kur Salvini njoftoi, vetëm pak pasi mori detyrën gjatë kësaj vere, se do t’u mbyllte portet italiane të gjitha anijeve të shpëtimit joitaliane.
Anija me flamur italian “Mare Jonio”, 38 metra e gjatë, do ta bëjë edhe më të vështirë për Salvinin që ta pengojë atë të ankorohet, edhe pse ministri ka ende forcë për të parandaluar zbritjen e njerëzve nga anijet në tokë.
Anija në fjalë është blerë dhe kompletuar me pajisje nga një koalicion politikanësh të majtë, shoqatash antiraciste, intelektualësh dhe figurave të shquara të artit, nën mbikëqyrjen e dy organizatave joqeveritare. Misioni i saj është quajtur thjesht dhe pastër “Mesdheu”.
“Duam të afirmojmë një parim të njerëzimit, që politikat e ekstremit të djathtë duket se e kanë harruar”, tha Erasmo Palazzotto nga partia e së majtës “LeU” (Liri dhe Barazi).
Politikat antiemigracion të adoptuara nga qeveritë malteze dhe italiane, që kanë zgjedhur të mbyllin portet e tyre për anijet e shpëtimit, kanë shkaktuar një ulje të ndjeshme të misioneve të shpëtimit. Emigrantë e refugjatë të shumtë vijojnë të tentojnë një nga sipërmarrjet më të rrezikshme për jetët e tyre, kalimin përmes Mesdheut për të kërkuar azil në Europë, me shumë gjasë do të shtojnë në mënyrë dramatike episodet fatkeqe në mungesë të anijeve të shpëtimit në këto ujëra.
Top Channel