Kancelarja gjermane Angela Merkel filloi një vizitë në Izrael të mërkurën, me “ambiciet bërthamore të Iranit” dhe me “konfliktin izraelito-palestinez” midis çështjeve në rendin e ditës, në bisedimet me kryeministrin Benjamin Netanjahu.
Merkel dhe Netanyahu nuk kanë bërë asnjë deklaratë pas mbërritjes së kancelares në Jerusalem. Ata duhej të zhvillonin bisedime pas darkës në rezidencën zyrtare të kryeministrit, por shumica e diskutimeve do të zhvillohen gjatë ditës së sotme.
Merkel dhe ministrat që e shoqërojnë atë, do ta fillojnë me një vizitë në përkujtimin e Holokaustit të Yad Vashem në Jerusalem dhe do të mbajnë takime të tjera gjatë ditës para se të kthehen në Gjermani në mbrëmje.
Gjermania ka mbetur pjesë e marrëveshjes bërthamore të Iranit, e cila hoqi sanksionet mbi Teheranin në këmbim të frenimit të programit të saj atomik, pasi presidenti i SHBA, Donald Trump u tërhoq nga ai pakt në maj.
Kujtojmë që kancelarja Merkel u prit me pankarta nga disa familje Beduine, të cilat kërkuan ndërhyrjen e saj te Netanyahu, për të shmangur shembjen e fshatit Khan al-Ahmar, ku ata banojnë.
Top Channel