Facebook ka mbyllur të paktën 14 faqe të identifikuara gjatë një verifikimi të përbashkët të BIRN dhe BBC si të lidhura me Kalorësit Tempullarë Ndërkombëtare, ose KTI, një organizate miliante e krishterë, e cila rezulton mjaft aktive në rajonin e Ballkanit.

KTI, që e cilëson veten “një mburojë të gjallë dhe një shpatë për mbrojtjen e komuniteteve të krishtera”, është mburrur se rrjeti i gjerë i saj ka ndihmuar përmes mediave sociale në zgjedhjen e Donald Trump si President i SHBA-së, ndërsa pretendon se ka ndikuar edhe mbi referendumin në Britaninë e Madhe për largimin nga Bashkimi Europian.

Artikujt aktualë në faqen e saj të internetit përshëndesin “rënien e madhe te aborteve në Rusi” dhe referendumin e ardhshëm kundër martesës së homoseksualëve në Rumani.

Organizata ka tërhequr polemika për pikëpamjet e ashpra mbi emigracionin mysliman në Europë dhe dhurimin e pajisjeve për të ashtuquajturit “gjuetarë të emigranteve” në Bullgari apo tek serbët e Kosovës.

KTI e merr emrin nga urdhri mesjetar katolik i kryqëzatave, që luajti rol të rëndësishëm në luftërat në Tokën e Shenjtë kundër myslimanëve. Por organizata moderne nuk ka asnjë lidhje me Vatikanin.

Facebook sqaroi për “Sunday Post” se faqet në fjalë i ka mbyllur për shkak se bien ndesh me standardet e komunitetit të tij.

Top Channel