Një lajm aq i papritur ka qarkulluar sot në mediat italiane, sa ka lënë të shtangur botën e futbollit në Itali dhe jo vetëm. Mund të duket çmenduri, por emri i Massimo Morattit po qarkullon si një kandidaturë e mundshme për president të Federatës Italiane të Futbollit.
Ish-presidenti i Interit mund të propozohet si emër nga klubet e Serisë A, me në krye presidentin e Juventusit, Andrea Angelli dhe numrin 1 të ligës elitare të futbollit në gadishullin Apenin, Gaetano Micciché, i cili do ta paraqesë si mundësi në asamble të premten.
Moratti është personi i zgjedhur nga një grup klubesh, me në krye Juven, për të sfiduar kandidatin që pritet të propozohet nga klubet e Serisë C dhe ato amatore, Gabriele Gravina.
Emri i ish-presidentit zikaltër, i cili ka dhënë gatishmërinë e tij maksimale për këtë pozicion, do të mbështetej tek autoriteti dhe përvoja e madhe që ka, të domosdoshme për të mundur Gravinan. Kandidatura e Morattit do të mirëpritej edhe nga shoqata e lojtarëve, por edhe nga ajo e trajnerëve.
Gjithsesi, këto nuk mjaftojnë për të qenë një fitues, sepse 73-vjeçari fillimisht duhet të bindë të gjitha klubet në Serinë A, e gjithashtu koha nuk është shumë e gjatë, pasi të dielën është afati i fundit për të depozituar kandidaturat.
Top Channel