Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin e ka mbështetur politikën e Serbisë për Kosovën me fjalët se, për Moskën “është e pranueshme vetëm ajo marrëveshje, me të cilën bie dakord edhe Beogradi”.

Putin dhe Vuçiç kanë biseduar edhe për raportet mes Rusisë dhe Serbisë, forcimin e marrëdhënieve tregtare dhe investimet ruse në Serbi.

Sa i përket rajonit, shefi i Kremlinit tha se këtu ka shumë tema që duhet të trajtohen, ndërsa Vuçiç foli për një situatë të komplikuar në Ballkanin Perëndimor, e shtoi se Serbia “po iu nënshtrohet provokimeve, ndonëse ajo do paqe dhe stabilitet”.

“Zgjidhja e çështjes së Kosovës është ende tepër larg”, theksoi presidenti i Serbisë, duke shtuar se vendi i tij është i vetmi i pavarur në rajon dhe si i tillë dëshiron të mbetet.

Vuçiç është i pakënaqur me Perëndimin, e kjo Moskës i pëlqen. Analistët serbë thonë se kreu i shtetit ka dërguar disa herë kohët e fundit mesazhe për këtë pakënaqësi.

Ata mendojnë se Vuçiç do të vazhdojë me zemërimet e tij, sepse shumë udhëheqës perëndimorë nuk u janë përgjigjur fare thirrjeve të tij telefonike. Ndaj ka vendosur që këtë çështje ta shtjellojë me Rusinë dhe Putinin.

Por, politologu Boban Stojanoviç mendon se Vuçiç po përpiqet tani të ndërrojë strategjinë ndaj Kosovës. Ai i tha “Deutsche Welle”-s se, presidenti serb fillimisht mendoi të shpallë ndonjë referendum për normalizimin e marrëdhënieve.

Por tani, kur duket se kjo strategji nuk do të kalojë, është e mundur që ai të mbajë zgjedhje të reja, në të cilat do të garonte me strategjinë e re për Kosovën, gjë që nënkupton edhe përkufizimin me shqiptarët.

Top Channel