Vladimir Putin e ka quajtur ish-agjentin e dyfishtë rus, Sergei Skripal, një tradhtar të përbuzshëm, teksa mohoi me forcë dhe zemërim pretendimet se Kremlini ka urdhëruar helmimin e tij përmes agjentit nervor “Novichok”.

Duke folur gjatë një forumi mbi energjinë në Moskë, presidenti rus akuzoi Perëndimin se po e paraqesin Skripalin, i cili ra prè e një sulmi kimik në Salisbury të Britanisë së Madhe në mars të këtij viti, si një viktimë të pafajshme.

“E shoh që disa prej kolegëve tuaj po çojnë përpara teorinë se Skripali ishte si të thuash i së njëjtës natyrë me një aktivist të të drejtave të njeriut”, iu përgjigj Putin një pyetjeje të moderatorit. “Ai ishte thjesht një spiun. Një tradhtar i atdhetut të tij. Po, ekziston edhe një term i tillë: një tradhtar i atdheut! Ai ishte thjesht një nga ata”.

Skripal dhe vajza e tij Yulia u gjetën të pandërgjegjshëm në një stol parku në qytetin anglez të Salisburyt më 4 mars. Britania thotë se dy oficerë të shërbimit informativ ushtarak rus, GRU, janë autorët e helmimit të tij me “Novichok”.

Putin, edhe vet një ish-oficer kundërzbulimi, i ka qortuar furishëm edhe në të kaluarën “tradhtarët”. Ai është shprehur se nuk mundet të falë “pabesinë” dhe se “tradhtarët do të shtypen”. Sa i përket Skripalit, këtë të mërkurë ai e ka përkufizuar si “të përbuzshëm”.

Pas helmimit të dyshes Skripal, një grua vdiq pasi ra në kontakt me substancën helmuese, të cilën partneri i saj e gjeti në një shishe parfumi të hedhur, sipas policisë britanike.

“Novichok”-u i përdorur në këtë rast është një prej disa llojeve agjentësh nervorë të zhvilluara apo prodhuara në ish-Bashkimin Sovjetik.

Forumi energjetik në Moskë koinçidoi me ditën e fundit të Konferencës së Partisë Konservatore në Birmingham, e erdhi vetëm pak orë pasi Theresa May u zotua për kundërpërgjigjen e saj të ashpër ndaj rastit të Salisburyt, si shenjë e vendosmërisë së saj për të zmbrapsur Rusinë.

Vëmendja tashmë është fokusuar te dy personat rusë, të cilët sipas prokurorëve britanikë janë agjentë të shërbimit informativ ushtarak rusë, të dërguar për eliminimin e Skripalit. Gazetarë investigativë të rrjetit “Bellingcat” e kanë identifikuar njërin prej tyre si kolonelin Anatoliy Chepiga, një oficer i GRU-së. Më herët, policia britanike ishte shprehur se dy personat kishin udhëtuar në ishull nën identitete të rreme.

Top Channel