Sekretari Amerikan i Shtetit Mike Pompeo tha të mërkurën se ishte optimist se vizita e tij e planifikuar në Penian këtë fundjavë, do të sjellë përparim drejt një takimi të dytë midis Presidentit Donald Trump dhe udhëheqësit Kim Jong Un, dhe ndërtimin e një rruge për denuklearizimin e Koresë së Veriut.
Pompeo refuzoi të komentojë mbi sinjalet negative të ardhura nga Koreja e Veriut, ku përfshihet kërkesa për heqjen e sanksioneve dhe ankesave në lidhje me ngurrimin e dukshëm të Uashingtonit për të pranuar një deklaratë për t’i dhënë fund Luftës së Koresë 1950-53, pa lëshime të mëdha.
“Jam shumë i lumtur që po kthehem për një shans tjetër për të vazhduar angazhimin që presidentët Kim Jong-un dhe Trump morën në Singapor në javën e dytë të qershorit”, tha Pompeo në një konferencë për shtyp në Departamentin e Shtetit.
“Jam optimist se do të largohemi nga Peniani me mirëkuptim maksimal, përparim më të thellë dhe një plan përpara, jo vetëm për samitin midis dy udhëheqësve, por për ne që të vazhdojmë përpjekjet për të ndërtuar një rrugë për denuklearizimin”, deklaroi Sekretari Amerikan i Shtetit.
Në një takim të pashembullt me Trump, më 12 qershor, Kim Jong-un premtoi të punojë drejt denuklearizimit të gadishullit Korean, por veprimet e tij janë ndalur pas kërkesave të Uashingtonit për një inventar të plotë të armëve të tij bërthamore dhe bërjen e hapave të pakthyeshme për të hequr dorë nga një arsenal që potencialisht kërcënon Shtetet e Bashkuara.
Megjithatë, Trump është dukur i etur për një takim të dytë me Kim, edhe pse deklaratat e fundit të Koresë së Veriut kanë sugjeruar se të dyja palët nuk janë shumë pranë “ngushtimit të dallimet të tyre”.
Ministri i Jashtëm i Koresë së Veriut, Ri Yong Ho, i tha Kombeve të Bashkuara javën e kaluar se sanksionet e vazhdueshme po thellonin mosbesimin e tyre ndaj Shteteve të Bashkuara dhe nuk kishte asnjë mënyrë që Peniani të braktiste armët e veta bërthamore në mënyrë të njëanshme, në rrethana të tilla.
Top Channel