Për ishullin indonezian Sulawesi duket se nuk ka më paqe. Pas tërmetit shkatërrimtar dhe cunamit të javës së kaluar, zona tani është tronditur edhe nga shpërthimi i vullkanit “Soputan”.

Shpërthimi ka krijuar një re gjigante tymi dhe hiri, që ka arritur deri në lartësinë e 6.000 metrave. Autoritetet kanë këshilluar popullatën të evitojë një zonë të gjerë deri në 6.5 kilometra në jugperëndim të vullkanit.

Deri më tani, tërmeti dhe cunami u kanë marrë jetën të paktën 1.400 personave dhe ekspertët mendojnë se ato kanë përshpejtuar shpërthimin e vullkanit. Avionët janë paralajmëruar të kenë kujdes nga hiri vullkanik në zonë.

Zona mbetet në emergjencë. Ushtria është thirrur në qytetin port Palu për të ruajtur infrastrukturat, depozitat e karburanteve, bankat, aeroportin lokal etj., në mënyrë që të evitohen grabitjet.

Indonezia është një arkipelag ku jetojnë më shumë se 250 milionë njerëz dhe sizmologët monitorojnë më shumë se 120 vullkane aktive atje.

Top Channel