Numri i punëkërkuesve të papunë të regjistruar pranë Zyrës së Punësimit në Gjirokastër ka shënuar rritje gjatë 2 viteve të fundit.
3868 persona gjenden në listën e pritjes, sipas kreut të këtij shërbimi, Edi Pesha. Treguesi i lartë, sipas tij, lidhet me ndërgjegjësimin e qytetarëve dhe përfitimet e regjistrimit si i papunë.
Megjithatë, Pesha sqaron se papunësia vijon të mbetet shqetësim për rajonin. Gratë vijojnë të kenë një përqindje më të lartë papunësie krahasimisht me burrat, ndërsa gratë mbi 50 vjeç janë pak të preferuara prej tregut të punës.
Industria e fasonit, industria e lehtë dhe ajo ushqimore janë mes punofruesve kryesorë në qark. Së fundi, ndërtimi po riaktivizon një kontigjent ndërtuesish të papunë prej vitesh pas fillimit të njëkohshëm të punimeve në disa akse kombëtare dhe një radhë investimesh publike brenda qendrave urbane.
Turizmi që po shënon shifra në rritje klientësh po shfaq edhe ankesa serioze sa i përket mungesës së kualifikimit të të punësuarve. Sezoni i verës tërhoqi vëmendjen për mungesë kompetence të personelit në shërbime hotelerie dhe restoranti, mungesë kompetence në gjuhë të huaja dhe guidim turistik, si dhe pati një nivel të diskutueshëm etike në komunikimin me klientët. 8 drejtime të formimit profesional, sipas zotit Pesha, do të përpiqen të kualifikojnë kryesisht punonjësit e sektorit të turizmit këtë vit.
Rreth 1700 biznese në të gjithë Qarkun e Gjirokastrës gjenden përballë kërkesave të tregut për rritjen e cilësisë dhe përmirësimin e teknologjisë. Oferta për punë është të paktën 20% më e lartë krahasuar me 3 vite më parë, por mungesa e theksuar e kualifikimit është problemi më madhor që po has tregu aktual i punës në jug të vendit.
Gjatë vitit 2018, 45 biznese përfituan prej skemës së nxitjes së punësimit duke punësuar në total rreth 217 të papunë gjysma e të cilëve ishin gra.
Top Channel