Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë i urdhëroi Shtetet e Bashkuara që t’i lehtësojnë sanksionet e rivendosura kundër Iranit, pas tërheqjes nga marrëveshja bërthamore.

Gjykata tha se, eksportet e mallrave “humanitare”, siç janë ushqimet dhe ilaçet, duhet të lejohen.

Shtetet e Bashkuara reaguan gjithsesi, duke thënë se gjykata nuk ka juridiksion mbi rastin që – sipas saj, – ka të bëjë me sigurinë e saj kombëtare.

Gjykata me seli në Hagë vendos për mosmarrëveshjet ndërmjet shteteve anëtare të OKB-së. Vendimet e saj janë të detyrueshme dhe nuk mund të apelohen, por gjykata nuk ka mekanizma për t’i imponuar ato.

Duke shpallur vendimin, gjykatësi Abdulqawi Yusuf tha se “gjykata konsideron se SHBA-të duhet të heqin me mjetet që i zgjedhin vet ata, çdo pengesë në territorin e Iranit për eksportin e lirë të mallrave të kërkuara për nevoja humanitare”.

Presidenti amerikan, Donald Trump e tërhoqi në muajin maj vendin e tij nga marrëveshja bërthamore midis Iranit dhe 6 fuqive botërore. Me këtë marrëveshje, Irani e kufizoi aktivitetin e tij bërthamor, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare. Amerika, pas daljes nga marrëveshja, i riktheu sanksionet.

Top Channel