Presidenti francez Emmanuel Macron duket se do të vuajë në përmbajtjen e një krize të re brenda kabinetit, pas dorëheqjes së një prej mbështetësve të tij më të hershëm dhe më të afërt, ministrit të Brendshëm Gérard Collomb.

Largimi i Collomb, i cili braktis qeverinë franceze në një situatë të mbingarkuar, vjen pas dorëheqjes së ministrit tejet popullor të Mjedisit, Nicolas Hulot, e pikërisht tani që Macron përballet me një rënie të ndjeshme të aprovimit të tij. Për më tepër, ai largohet në vazhdën e një debati të madh mbi një zyrtar të sigurisë së “Élysée”-së, i cili është filmuar teksa sulmon njerëzit në prag të një demonstrate.

Collomb, 71-vjeçari dikur kryebashkiak i Lionit dhe një nga aleatët më besnikë të Macronit, largohet nga qeveria pas një mosmarrëveshjeje me presidentin 40-vjeçar, i cili fillimisht refuzoi dorëheqjen e tij, por më pas njoftoi largimin në orët e para të mëngjesit të së mërkurës.

Kryeministri i Francës, Edouard Philippe, është detyruar me urgjencë të marrë detyrën e ministrit të Brendshëm, veçanërisht sa i përket sigurisë kombëtare, veç rolit të tij parësor.

Zyrtarisht, arsyeja e largimit të Collomb thuhet të jetë dëshira e tij për të garuar sërish për Bashkinë e Lionit në zgjedhjet e ardhshme lokale. Por Collomb, i cili me Macronin konsideroheshin dikur si at e bir, i ka bërë shpesh herë publike paralajmërimet mbi rrezikun që Macron të bëhet tejet i prerë ndaj qytetarëve. Ai raportohet të ketë shprehur irritimin e tij mbi skandalin e rëndë që rrethon Alexandre Benalla, një zyrtar i sigurisë së Macronit që është filmuar teksa rreh dy njerëz në prag të një proteste që u zhvillua në muajin maj.

Largimi dramatik i Collomb vjen në një moment të vështirë për Macronin. Presidenti i ri i qendrës, i cili ishte zotuar të “riparonte” një Francë të përçarë duke liberalizuar ekonominë, rishikuar ligjet e mirëqenies dhe të punësimit, si dhe ndryshimin e klasës politike franceze, ka parë muajt e fundit një rënie të popullaritet në rreth 34 për qind.

Top Channel