Sociologet e shikojnë alarmante situatën e braktisjes së fshatit dhe zhvendosjen e popullsisë drejt qytetit. Zyhdi Dervishi kërkon që të merren masa, duke investuar atje, me qëllim që zonat rurale të mos shpopullohen. Kjo zhvendosje e popullsisë me ritme kaq të shpejta sipas tij, sjell edhe një sërë problemesh në kryeqytet.
Ritmi i shpejtë i lëvizjes së shqiptarëve nga fshati drejt qytetit ka ndikim në shoqëri. Shifrat zyrtare të bashkisë së Tiranës, tregonin se çdo ditë në kryeqytet vijnë 70 persona, ndërkohë që projeksionet e divizionit të popullsisë së OKB-s ngrinin alarmin se në të ardhmen, zonat rurale do të braktiseshin tërësisht.
“Këtu përqendrohen shumë njerëz, të cilët jetojnë me mënyrën e jetesës që kanë pasur në krahina; transferojnë këtu dhe konfliktet si dhe Tirana nuk ka fuqi t’i rishoqërizojë ata me mentalitete urbane, por më shumë po ruralizohet Tirana”, u shpreh Zyhdi Dervishi, sociolog.
Shkollat e mbyllura në fshatra, janë një nga pasojat e largimit të banorëve. Ndërkohë që, pjesa më e madhe e popullsisë shqiptare e larguar nga zonat rurale, e cila përqendrohet në aksin kryesor të zhvillimit urban, Tiranë Durrës, tregon sociologu, sjell ndikime si emocionale dhe shëndetësore te të ardhurit.
“Grumbullimi i banorëve me shumicë dhe në zona të pasistemuara, në zona urbane të rrëmujshme do të ndikojë që të shfaqen shumë sëmundje profesionale, do të ndikojë që do të ketë shumë njerëz në depresion, dhe njerëzit do të ndihen të vetmuar mes turmës. Grumbullimi i njerëzve në zona të përqendruara, në banesa që nuk kanë ajrimin dhe dritën e mjaftueshme do të thotë që do të shtohen edhe sëmundjet kancerogjene”, tha Zyhdi Dervishi, sociolog.
Teksa ngre shqetësimin, prof. Dervishi parashtron zgjidhjen, në mënyrë që në 2050, 78.2% e popullsisë shqiptare të mos zhvendoset në zonat urbane.
“Nëqoftëse do të investohet që të happen vende pune, në shumë zona rurale të Shqipërisë, një pjesë e popullsisë do mbetej atje. Zgjidhja nuk fillon kur vjen popullsia këtu, zgjidhja fillon duke parandaluar ardhjen e popullsisë këtu, por jo metodat e regjimit totalitar, por me metoda ekonomike dhe kulturore”, shprehet sociologu Zyhdi Dervishi.
Top Channel