Përmes Eurobondit të emetuar të martën, qeveria shqiptare mori 500 milionë euro hua nga tregjet financiare. Ky borxh do të shlyhet për 7 vjet dhe norma e interesit që qeveria do të paguajë është 3.5 për qind në vit. Pra në krye të 7 vjetëve, buxheti I shtetit do të paguajë mbrapsht 500 milionë euro principal plus 122.5 milionë euro të tjera interesa. Por si qëndron ky interes në raport me borxhin ekzistues?
Kjo është hera e tretë që Shqipëria merr hua në tregjet ndërkombëtare. Dy herët e shkuara kanë qenë në vitin 2010 dhe në 2015-ën. Në të dyja rastet është marrë borxh 5-vjeçar, pra me afat më të shkurtër maturimi, dhe interesi ka qenë respektivisht 7.6 për qind dhe 5.75. Rrjedhimisht Eurobondi i tanishëm, është borxhi me interesat më të ulëta që Shqipëria ka marrë ndonjëherë në treg të lirë.
Arsyet për këtë janë dy. Së pari rënia e interesave në tregjet europiane për shkak se banka qendrore ka injektuar miliarda euro për të nxitur ekonominë. Ndërsa arsyeja e dytë është rritja e besimit që investitorët e huaj kanë tek ekonomia shqiptare, duke e vlerësuar atë si më të sigurt se sa më parë.
Por a është eurobondi i ri automatikisht rritje e borxhit? Përgjigja është jo. Borxhi publik kontrollohet nga parlamenti, i cili në çdo fillim viti i cakton qeverisë në buxhet shumën e borxhit që ajo lejohet të marrë. Për vitin 2018, kufiri i borxhit që qeveria mund të marrë është 256 milionë euro ose 2 për qind e prodhimit kombëtar. Por qeveria mori 500 milionë euro, pasi 244 milionë do i përdorë për të shlyer para afatit borxhet e marra në të shkuarën me interesa më të larta.
Top Channel