Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç tha në Moskë se zgjidhja e çështjes së Kosovës është ende e largët. Ai i bëri këto komente gjatë takimit me presidentin rus, i dyti gjatë këtij viti, të cilin e falënderoi për – siç tha, – qëndrimin e vendosur në mbrojtjen e së drejtës ndërkombëtare dhe të interesave të rëndësishme shtetërore dhe kombëtare të Serbisë.

“Pavarësisht nga përpjekjet tona për të arritur kompromis dhe për të ndihmuar qëndrueshmërinë ndërkombëtare, jemi ende shumë larg nga çdo zgjidhje për problemin e Kosovës”, tha presidenti serb.

Vet Putin e ka mbështetur politikën e Serbisë për Kosovën, duke thënë se për Moskën është e pranueshme vetëm një marrëveshje, me të cilën bie dakord edhe Beogradi. Serbia, një aleate tradicionale e Rusisë, synon të anëtarësohet në Bashkimin Europian, por ecën në vijën e ngushtë ndërmjet Rusisë dhe Perëndimit dhe ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve euro-amerikane kundër Moskës, për shkak të veprimeve të saj në Ukrainë.

“Serbia, si shtet i pavarur dhe i lirë do të ruajë neutralitetin ushtarak dhe mendoj se, sot Serbia është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që i përmbahet kësaj politike”, i tha ai presidentit rus.

Një pjesë e madhe e serbëve vlerësojnë qëndrimin kundërshtues të Moskës ndaj Pavarësisë së Kosovës, që u shpall 10 vite më parë me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Europian. Megjithatë, Beogradi është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, në shkëmbim të afrimit më strukturat europiane.

Presidenti serb, ditë më parë e kishte shpallur të humbur politikën e tij të vënies së kufirit ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, që nënkuptonte ndarjen e Kosovës. Pas takimit me presidentin rus, ai u tha medieve serbe, që po e ndjekin vizitën e tij në Moskë, se nuk ka çfarë të flasë për një plan të tillë, që sipas tij e kanë hedhur poshtë edhe Bashkimi Europian, edhe shqiptarët, edhe serbët.

Top Channel