Një kompani në Zelandën e Re, që kreu testimin e javës së punës katërditore, ka deklaruar se ishte një sukses dhe se do ta adoptojë këtë agjendë të re.
Rreth 250 punonjës të “Perpetual Guardian”, një kompani që menaxhon fonde besimi, testamente dhe planifikime pasurish, testoi javën e punës katërditore në muajt mars dhe prill të këtij viti, duke punuar për 8 orë në ditë, 4 ditë të javës, por duke paguar për 5 ditë.
Akademikët që studiuan testimin dolën në përfundimin se, stafi në zyrat e kompanisë në të gjithë vendin tregoi nivele më të ulëta stresi, nivele më të larta kënaqësie nga puna dhe përmirësim të balancës mes punës dhe jetës private.
Themeluesi i kompanisë, Andrew Barnes tha se stafi mund të zgjidhte nëse donte të punonte për 4 ditë në javë dhe avokatët janë konsultuar për të garantuar që sistemi i ri t’iu bindet ligjeve dhe kushteve të punësimit në Zelandën e Re.
Punonjësit që zgjedhin të mos punojnë 4 ditë në javë, por 5, do të kenë opsione të ndryshueshme si për shembull fillimi apo përfundimi më herët i punës, për të evituar bllokimet në trafik apo të menaxhojnë angazhimet ndaj fëmijëve të tyre.
Barnes e nisi testimin pasi kishte vënë re sesa presion kishin disa prej punonjësve për të menaxhuar jetët e tyre personale dhe profesionale. Ai mendoi se, ndoshta një ditë më shumë për të qëndruar në shtëpi do ta bënte stafin më të fokusuar dhe më produktiv në zyrë, e në përfundim, teoria e tij pati sukses të garantuar.
Top Channel