Në kushtet kur opozita ka bojkotuar Kuvendin, mazhoranca ka vendosur të mos e presë pafundësisht për reformën zgjedhore dhe po përgatitet të dorëzojë draftin e saj unilateral.

“Opozita ka bojkotuar Kuvendin, nuk vjen në Komision, ndaj dhe ne do te paraqesim draftin tone shume shpejt dhe do t’ia dorëzojë atë të gjithë aktorëve”, u shpreh Bledi Çuçi.

Për hartimin e draftit, mazhoranca ka pajtuar si ekspert Viktor Gumin, ish-deputet dhe ish-ministër demokrat. Bledi Çuçi tregon se drafti do të përmbajë vetëm adresimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR.

“Drafti me rekomandimet e OSBE/ODIHR, shpresojmë PD te kthehet por ne kemi përgjegjësi para shqiptarëve.

Është edhe tjetër përgjegjësi, ajo para ndërkombëtarëve, që e ka shtyrë mazhorancën të ndërmarrë një hap të tillë, duke qenë e ndërgjegjshme se nuk i ka votat për ta ndryshuar e vetme Kodin Zgjedhor. Burime të nivelit të lartë pranë mazhorancës socialiste i thanë Top Channel se synimi i PS-së është që t’i tregojë Brukselit vullnetin për t’i adresuar shqetësimet që lidhen me zgjedhjet, në kushtet kur ato përbëjnë edhe një nga kushtet e Këshillit Europian për hapjen zyrtare të negociatave me Shqipërinë, qershorin e ardhshëm.

Pas Çuçit reagoi përmes medieve sociale edhe bashkëkryetari tjetër i reformës zgjedhore, demokrati Oerd Bylykbashi. Pa përmendur bojkotin parlamentar të opozitës, ai replikoi me ironi deklaratën e homologut të tij socialist.

“PS e paska gjetur konsensusin per reformën zgjedhore. ‎PS deklaron sot se do të bëjë propozimet e saj të njëanshme për Kodin Zgjedhor. Arsyeja është shumë e thjeshte: po sot, nën pranga per dhunimin e një vajze të pafajshme, i biri i Rrahman Rrahjes kërcënon opozitën: Do ta shihni ne zgjedhje. Zëdhënës dhe provë më të mirë të paktit të PS me krimin ‎për të dhunuar zgjedhjet nuk ka! Kjo është reforma që propozon PS!”, shkruan ai.

PS ka njoftuar në fillim të shtatorit se ka vendosur të pranojë kërkesat e opozitës për pilotimin e përdorimit të elektronikës në zgjedhje. Por demokratët kanë shpallur si emergjencë kombëtare lidhjet e politikës me krimin dhe kanë deklaruar se nuk do të bëhen pjesë e asnjë reforme nëse mazhoranca nuk pranon nismën e opozitës për vettingun e politikanëve.

Top Channel