Pentagon, zarfe me ricin për Mattis dhe Richardson

02/10/2018 20:04

Dy zarfe drejtuar Sekretarit amerikan të Mbrojtjes, James Mattis, si dhe shefit të operacioneve detare, admiralit John Richardson, kanë rezultuar pozitivë në testin paraprak për substancën vdekjeprurëse të ricinës, në një objekt postar të Pentagonit, por që është i ndarë nga selia e Departamentit të Mbrojtjes.

Zarfet e dërguara që prej së hënës u kapën përpara se të mund të depërtonin në brendësi të selisë së Departamentit të Mbrojtjes në Virxhinia, pranë Uashington DC, sipas deklaratës së zëdhënësit Chris Sherwood, këtë të martë.

Ato shkaktuan alarm teksa i nënshtroheshin procesit rutinë të skanimit për të garantuar sigurinë në qendrën e procedimit të shërbimeve postare. Një zyrtar i mbrojtjes deklaroi për CNN se marrësit e atyre zarfeve duhej të ishin Mattis dhe Richardson.

“Të hënën, Agjencia për Mbrojtjen e Pentagonit pikasi një substancë të dyshimtë gjatë skanimit të postës në objektin e distancuar nga Pentagoni”, tha Rob Manning, zëdhënës i Pentagonit, në një deklaratë.

“Zarfet janë marrë nga FBI-ja mëngjesin e sotëm për analiza të mëtejshme”, tha ai, duke shtuar se të gjitha dërgesat postare që kishin mbërritur në objektin pranë Pentagonit gjatë së hënës janë vendosur në karantinë, duke mos përbërë asnjë rrezik për personelin e Departamentit të Mbrojtjes.

Byroja Federale e Hetimit njoftoi nga ana e saj se zarfet u janë nënshtruar testimeve të mëtejshme, por u ndal me kaq dhe pa dhënë detaje të tjera.

Ricini është një përbërje tejet toksike e nxjerrë nga farat e bimës së ricinit, që është përdorur në të kaluarën në sulme terroriste dhe është vdekjeprurëse nëse një dozë fare minimale e tij merret përmes gëlltitjes, thithjes apo injektimit. Ai është 6.000 herë më i fuqishëm sesa cianidi.

Simptomat e saj kanë të bëjnë me të përzierat, vjellje, gjakrrjedhje të brendshme në stomak apo zorrë, që pasohet më pas nga mosfunksionimi i mëlçisë, shpretkës dhe veshkave, e që çon në vdekje si pasojë e mosfunksionimit të sistemit të qarkullimit të gjakut.

Top Channel