“Incident” në detin Baltik, u raportua për zjarr në tragetin me 335 pasagjerë

02/10/2018 18:30

Një operacion shpëtimi u zhvillua pak orë më herët, pas raportimeve për rënien e zjarrit në një traget me flamur lituanez me 335 udhëtarë në bord, që po lundronte në ujërat e detit Baltik.

Anija “Regina Seaways” ishte në rrugëtimin e saj nga porti gjerman i Kielit drejt atij lituanez të Klaipedës.

Operatori i anijes në fjalë, “DFDS” mohoi të kishte zjarr apo një shpërthim në dhomën e aparatit të lëndës djegëse, duke folur vetëm për disa probleme teknike.

Të gjithë pasagjerët raportohen të jenë mirë dhe të sigurtë, ndërsa operatori i anijes konfirmoi se mjeti lundrues po i drejtohej Klaipedës.

Zjarri u raportua të kishte nisur në kohën kur “Regina Seaways” ndodhej në ujërat e Zonës Ekskluzive Ekonomike të Rusisë, apo pranë brigjeve të enklavës ruse të Kaliningradit.

Një zëdhënësi i operatorit të mjetit lundrues tha më vonë për “Reuters” se pati dridhje dhe tym, por nuk ishte vëzhguar aspak zjarr.

Ushtria e Lituanisë tha se kishte nisur menjëherë anijet e saj drejt tragetit, për të ndihmuar në operacionin e shpëtimit. Por, sipas disa raporteve, edhe zyrtarë rusë janë përfshirë në atë operacion.

Top Channel