Gjiganti i shitjeve “online”, “Amazon” po rrit pagat për qindra e mijëra punonjës në SHBA dhe Britaninë e Madhe.
Punonjësi amerikan më pak i paguar i “Amazon” do të marrë 15 dollarë në orë. Në Britaninë e Madhe, paga minimale do të rritet nga 8.2 paund ora në Londër në 10.5 paund, ndërsa jashtë Londrës rritja do të jetë nga 8 në 9.5 paund.
Nga lëvizja do të përfitojnë 250 mijë punonjës në SHBA, 17 mijë në Britaninë e Madhe dhe dhjetëra e mijëra punonjës sezonalë.
“Amazon” është një nga kompanitë më të mëdha në botë, me vlerë rreth 1 trilion dollarë. Sidoqoftë, ajo është kritikuar nga shumëkush, përfshirë presidentin amerikan Donald Trump, për sasinë e taksave që paguan.
Kompania është kritikuar edhe për praktikat e saj të punësimit, me ankesa për kushtet e punës në ambientet e saj. Themeluesi i “Amazon”, Jeff Bezos është njeriu më i pasur i globit, me një pasuri që vlerësohet se shkon në rreth 165 miliardë dollarë.
“Ne dëgjuam kritikat, u menduam shumë për atë që do të bënim dhe vendosëm se duam të kryesojmë”, tha ai. “Jemi të gëzuar për këtë ndryshim dhe inkurajojmë konkurrentët tanë dhe punëdhënës të tjerë të mëdhenj të na bashkohen”.
Pagat e reja do të hyjnë në fuqi nga 1 nëntori dhe do të jenë të aplikueshme për të gjithë stafin, me kohë të plotë apo të pjesshme, punonjës të përkohshëm apo sezonalë.
Paga aktuale minimale e punonjësve të “Amazon” në Britani është 8 paund ora, ndërsa në SHBA 11 dollarë në orë. Kjo koinçidon me një lëvizje mbaramerikane të sindikatave për rritjen e pagave në një minimum prej 15 dollarësh në orë. Shitës të tjerë rivalë të “Amazon” i kanë rritur po ashtu pagat.
Top Channel