Champions, City i shpëton “dushit të ftohtë”. Përmbys Hoffenheimin falë dyshes Aguero-Silva

02/10/2018 21:31

Manchester City hoqi mënjanë çdo lloj frike në përfundimin e një ndeshjeje tejet të vështirë të luajtur në Gjermani, ndaj vendasve të Hoffenheimit, falë një goli magjik të spanjollit David Silva.

Ishin pikërisht gjermanët, ata që lëkundën pozicionin e Guardiolës dhe të besuarve të tij pas vetëm 40 sekondash lojë, teksa shënuan me anë të Belfodil, por kampionët e Premier League arritën të reagonin shumë shpejtë brenda pjesës së parë, për të barazuar me anë të Sergio Agueros.

Edhe pjesa e dytë ishte shumë e dyluftuar nga të dyja ekipet, edhe pse jo me atë ritëm me të cilin u zhvilluan 45 minutat e para, në fundin e së cilës City arriti të gjente golin e avantazhit 3 minuta nga fundi i takimit, si dhe 3 pikët e para për fazën e grupeve të Champions League.

Reagimi i “Citizens” vjen pas humbjes në Manchester me Lionin, edhe pse mes peripecive të shumta dhe “dushit të ftohtë” të minutës së parë të takimit. Tashmë, këto 3 pikë i japin mundësi ekipit të drejtuar nga Guardiola të marrin frymë lirshëm për raundet në vijim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA