Brazil/ Tërhiqet “ekstremisti” Bolsonaro, do pranojë rezultatin e zgjedhjeve

02/10/2018 01:21

Kandidati për president i ekstremit të djathtë në Brazil, Jair Bolsonaro ka ndryshuar mendje dhe do të pranojë rezultatin e zgjedhjeve, edhe në rast se do t’i humbë ato.

Lajmi u dha nga Hamilton Murao, një gjeneral në pension, që është njëkohësisht edhe njeriu më pranë Bolsonaros, i cili nga aeroporti i kryeqytetit u shpreh: Ai ka ndryshuar pikëpamje tashmë dhe nëse humbet, pranon humbjen.

Bolsonaro është një ish oficer ushtrie, që ka shprehu hapur admirimin për diktaturën ushtarake të Brazilit në vitet 1964-1985, ndërsa të premten e kaluar kishte deklaruar se nuk do të pranonte humbjen.

Ai kishte hedhur akuza se Partia e Punëtorëve, që është rivalja kryesore e tij në zgjedhje, po punon për të manipuluar rezultatin, deklaratë që analistët në Brazil e kishin lexuar si një mënyrë për të justifikuar një grusht shteti të mundshëm në rast humbjeje.

Zgjedhjet në Brazil do të mbahen këtë të diel dhe sondazhet shohin Bolsonaron si fitues në raundin e parë të tyre, por me një shumicë të vogël, që do të pasohej me një balotazh tre javë më vonë, ku pretendent shihet kandidati i Partisë së Punëtorëve Fernando Haddad.

Top Channel