Regjistrohen 17 mijë studentë. Universiteti i Tiranës plotëson 85% të kuotave

01/10/2018 16:50

Procesi i regjistrimit të maturantëve në 38 universitetet publike dhe private të vendit vazhdon deri në 6 tetor, datë kur mbyllet raundi i dytë. Megjithatë, parashikohet edhe një raund i tretë, që presupozohet të ezaurojë të gjitha dëshirat e maturantëve për të vazhduar një shkollë të lartë.

Janë mbi 8000 aplikantë që kanë aplikuar për raundin e dytë, që janë ish-aplikantë nga raundi i parë, maturantë që përfunduan Maturën Shtetërore në vjeshtë dhe ata që u çregjistruan në datën 13 shtator.

Arjan Xhelaj, kreu i Rrjetit Akademik Shqiptar, shprehet: “Kemi në dispozicion edhe dy ditë të tjera dhe pas kësaj mbyllet procesi i dy raundeve të para të regjistrimit. Në total, për të dyja raundet kemi rreth 24 mijë e 400 aplikantë. Deri në ditën e sotme janë regjistuar mbi 17 mijë maturantë”.

Nëse do të bënim një renditje të programeve më të kërkuara, Ekonomiku vazhdon të zërë vendin e parë, me rreth 21% të aplikantëve, të dytin e mbajnë shkencat politike dhe sociale dhe të tretin mësuesia.

“Nëse do të bënim bashkë inxhinieritë dhe shkencat ekzakte, do të zinin vendin e parë”, tregon Xhelaj.

Universiteti i Tiranës, ndër më të kërkuarit, ka ezauruar deri tani rreth 85% të kuotave.

“Janë ezauruar plotësisht kuotat e mjekësisë së përgjithshme, kanë ngelur 6 kuota në farmaci dhe 3 stomatologji; te Drejtësia kanë ngelur vetëm 20 kuota, ndërsa te Ekonomiku më pak se 10% e kuotave”, deklaron Xhelaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA