Futbollisti portugez Cristiano Ronaldo është kthyer në një markë globale, me një “perandori” prej 350 milionë paundësh, por së fundmi ai është përfshirë në një çështje mjaft delikate.
Ai mund të ketë makinat më të fundit, shtëpitë më luksoze, apo jahtet më të shtrenjtë, por nuk ka mundur t’i mbyllë gojën Kathryn Mayorga, vajza e cila e akuzon se e ka përdhunuar në vitin 2009.
Cristiano Ronaldo përdhunoi një modele amerikane dhe më pas i tha “më fal, zakonisht jam xhentëllmen”, sipas dokumenteve të paraqitura në një gjyq të Las Vegasit, por që vetë futbollisti i Juventusit i ka quajtur “fake news”.
34-vjeçarja Kathryn Mayorga thotë se Ronaldo e ka përdhunuar në një tualet të hotelit “Palms Hotel and Casino” në Las Vegas, në orët e para të 13 qershorit 2009.
Cristiano dhe Mayorga janë fotografuar së bashku në një klub. Më pas, mendohet se portugezi e ka ftuar në dhomën e tij të hotelit modelen, së bashku me një shoqen e saj. Kathryn refuzoi të futej në vaskë sepse nuk donte të prishte fustanin dhe Ronaldo i dha pantallona të shkurtra dhe bluzë, duke i treguar derën e tualetit që të ndërrohej aty. Dokumentet e paraqitura në gjyq thonë se në momentin kur po ndërrohej, Cristiano ka hyrë në tualet i zhveshur dhe ka kërkuar që të kryejnë marrëdhënie seksuale. Ajo nuk ka pranuar, por Cristiano e ka përdhunuar në tualet. Duke dalë nga aty, futbollisti mendohet të ketë kërkuar falje, duke shtuar se zakonisht është xhentëllmen.
Vetëm disa orë pasi avokati i Mayorga dorëzoi dokumentet në gjyq, Cristiano foli nëpërmjet një videoje në Instagram, ku tha: “Jo, jo, jo. Ajo që ka dalë sot është e rreme. Fake news”.
“Duan të promovojnë veten duke përdorur emrin tim. Është normale. Duan të bëhen të famshëm duke më thënë emrin, po kjo është pjesë e punës. Unë jam një njeri i lumtur dhe gjithçka është në rregull”, tha Cristiano.
Top Channel