Open/ Rrëfimi i Xhisielës: Dëshmia ime e publikuar në media nuk është e vërtetë. Bëra kallzim nga xhelozia

01/10/2018 21:26

Xhisiela Maloku u shpreh në Open me Eni Vasilin se dëshmia e saj që është publikuar në media, ku thuhet që është qëlluar me pjesën e pasme të pistoletës, që është qëlluar me grushta, që i është fikur cigarja në pjesën e kofshëve, nuk është e vërtetë.

“Këto gjëra i kam thënë nga xhelozia dhe inati. Kam bërë dëshmi të rremë”, tha Xhisiela.

Vajza tregon takimin e fundit me Rexhepin: “Unë kisha bërë një kallzim në komisariatin nr.3, në Tiranë. Ndodhi një konflikt mes nesh. Më mori në telefon dhe u takuam. Nisën skenat e xhelozisë nga ana e të dyve dhe nisën debatet. Në këtë konflikt nuk u ushtrua dhunë ndaj meje. Vetëm një shuplakë e lehtë, jo ato që janë thënë nëpër media. Emiliano (Nuhu) i ka ekzagjeruar. Dëshmia ime nuk është ajo që ka nxjerrë Emiliano, dëshmia ime është në prokurori, bashkë me një dëshmi tjetër në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Durrësit. Atë që ka nxjerrë Emiliano, nuk e di se ku e ka marrë”.

Më tej, Xhisiela tregon: “Është e vërtetë që më ka marrë telefonin dhe ma ka thyer. Kjo ka ndodhur brenda një hoteli. Në hotel më ftoi Rexhepi. Aty pati zënka normale, vetëm një shuplakë pati në hotel. Në datën 20 kam shkuar në komisariat, por nuk e kam bërë denoncimin. Nuk e bëra sepse u qetësuam. Dola nga komisariati, e takova dhe më kërkoi falje. Ai ishte aty sepse i thashë unë më parë që do e denoncoja. U sqaruam dhe m’u mbush mendja që ta fal. Pasi u pajtuam, në datën 21 shkova sërish në komisariat pasi nuk e mbajti fjalën e dhënë. Ai iku me një tjetër me pushime. Atë natë, në datë 20 u nis. E mora vesh nëpërmjet shoqeve. Në fillim nuk i besova, por doli që ishte e vërtetë. Nga inati shkova dhe e denoncova për dhunë”.

Në lidhje me aktin e ekspertizës që thotë se ka shenja dhune në trupin e Xhisielës, vajza thotë se shenjat në shpatull janë të vjetra, nga një aksident i mëparshëm.

“Unë nuk e kam lexuar atë ekspertizë, por shenjat në shpatull janë të një aksidenti që kam bërë në Patos. Makina është dërguar në varreza. Unë kam shenjë cigare edhe në vende të tjera sepse sa herë që ziheshim, digjnim veten. Edhe Rexhepin po ta shikonim, ka dhe ai shenja cigaresh. Nga nervat i bëjmë vetë. Absolutisht nuk po e justifikoj Rexhepin, nuk jam nën presion dhe as nën kërcënim. Nuk e kam pranuar mbrojtjen e prokurorisë. E gjithë kjo është bërë vetëm për një zënkë xhelozie. Nuk më ka djegur me cigare dhe nuk më ka kërcënuar me pistoletë. Thjesht më ka goditur me shuplakë. Nuk e di pse ish-oficeri i policisë më ka nxjerrë mua në media dhe po përdor njerëzit e pafajshëm, duke nisur nga babai i Rexhepit, deputeti Rrahman Rraja”, shprehet Xhisiela.

Top Channel