Dëshmia e dhënë nga Xhisiela Maloku për emisionin “Open” të Eni Vasilit, i befasoi të gjithë sot, pasi vajza mohoi të gjitha akuzat për përdhunim, që i kishte ngritur po vetë ndaj Rexhep Rrahjas, djalit të deputetit të PS-së Rrahman Rrahjas.
Opinioni publik, por edhe paneli në studion e emisionit, hodhën dyshime të forta se rrëfimi i Xhisielës nuk ishte i sinqertë dhe se vajza po merrte përsipër të përgënjeshtrojë denoncimet e saj të mëparshme, nën presion.
Për këtë ka reaguar edhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili në një status në Facebook, ka quajtur tronditëse faktin që Xhisiela është detyruar të mohojë të dhunën dhe përdhunimin ndaj saj.
Ja reagimi i plotë i Bashës:
Është tronditëse të shohësh një të mbijetuar të përdhunimit dhe të dhunës, të mohojë përdhunimin dhe torturën, për të mbetur gjallë!
Xhiseila e di shumë mirë se çfarë kriminelësh gjakftohtë dhe të pamëshirshëm janë ata, ai që e përdhunoi dhe ata që e mbrojnë përdhunuesin, ndaj ajo bëri sot atë që bën çdo njeri i tmerruar që kërkon të mbijetojë: mbrojti veten dhe familjen e saj.
Rrahman Rrahja është pjesë e një prej bandave kriminale që sundojnë dhe terrorizojnë Shqipërinë. Sot në Shqipëri nuk ka më as polici, as prokurori, as drejtësi dhe as parlament.
Parlamenti dhe drejtësia kanë rënë, dhe në vend të tyre sundon banda e Ramës, Rrahjave, Habilajve, Bajrëve, Shullazëve me shokë.
Top Channel