Që prej orës 7 të mëngjesit të sotëm, 1.8 milionë qytetarë të Republikës së Maqedonisë janë thirrur në referendumin për çështjen e emrit. Ata do t’i përgjigjen pyetjes: A jeni për anëtarësim në NATO dhe BE me pranimin e marrëveshjes mes Maqedonisë dhe Greqisë?

Ky votim është shumë i rëndësishëm dhe është paraprirë nga një seri vizitash të përfaqësuesve të lartë të Bashkimit Europian dhe NATO-s. Fitorja e “PO”-së në referendum zgjidh përfundimisht çështjen e konfiktit me Greqinë dhe i hap rrugën vendit për anëtarësim në NATO, e më pas në Bashkimin Europian.

E dërguar e Top Channel në Maqedoni për të ndjekur procesin zgjedhor është gazetarja Elda Menga.

TCH: Si ka nisur procesi i votimit në Maqedoni dhe si është pjesëmarrja?

Elda Menga: Votimi për referendumin në fakt ka nisur që dje, me emigrantët, diplomatët, të burgosurit dhe të sëmurët. Ndërsa sot, në të gjitha qytetet e shtetit që kërkon të ndryshojë emrin janë hapur qendrat e votimit. Sondazhet tregojnë se shumica do të votojë pro për pyetjen që iu bëhet në fletën e votmit. Pyetja është: A jeni për anëtarësim në NATO dhe BE me pranimin e marrëveshjes mes Maqedonisë dhe Greqisë? Këtu votohet në 3.480 qendra votimi në 80 komuna dhe në lista janë 1.8 milionë votues.

TCH: Në gjithë këto ditë është bërë thirrje për pjesëmarrje masive në referendum, sepse nuk është e rëndësishme vetëm që “PO”-ja të jetë në shumicë…?

Elda Menga: Ligji në Maqedoni kërkon që në referendum të marrin pjesë më shumë se gjysma e votuesve dhe për këtë arsye, lufta e vërtetë tani po bëhet për të shtuar pjesëmarrjen. Edhe dje janë bërë thirrje për të dalë masivisht në votim. Thirrjet janë bërë edhe nga Tirana, më i fundit ishte dje kryeministri Rama. Unë ndodhem këtu pranë selisë së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Maqedonisë, i cili ka publikuar të dhënat deri në orën 9 të mëngjesit. Në dy orë votim, në qendrat e votimit, 2.45% e zgjedhësve kishin votuar. Numri më i madh i zgjedhësve kishin shkuar në komunën Demir Hisar, e drejtuar nga socialdemokratët e Zaevit, ndërsa numri më i ulët i votuesve është në komunën Konçe, drejtuar sërish nga socialdemokratët. Megjithatë, fjalën përfundimtare në këto votime do ta japin qytetet e mëdha: Shkupi, Tetova, e të tjerat me radhë.

TCH: Po në komunat e banuara nga shqiptarët, si po ecën votimi?

Elda Menga: Edhe në qytetet shqiptare votimi po ecën normalisht. Por, duhet thënë që është ende shpejt për të dhënë përqindje të pjesëmarrjes. Ndërkohë, i gjithë procesi nuk ka shënuar incidente për t’u shënuar. Referendumi po ndiqet me interes nga shumë vëzhgues, por edhe media ndërkombëtare që kanë mbërritur në këtë vend.

Top Channel