PD, Vokshi: Vajza e përdhunuar, pa mbrojtje. Rama, në krah të përdhunuesve

30/09/2018 13:50

Politika vazhdoi të flasë për horra edhe të dielën. Të njëjtën gjuhë, që Edi Rama i rezervoi nënkomisar Nuhut, demokratët e përdorën për të përkufizuar deputetët e grupit parlamentar socialist.

“Edi Rama zgjodhi të mbrojë publikisht horrat dhe përdhunuesit e grupit të tij parlamentar, duke mos treguar shenjën më të vogël të mbështetjes apo dhembshurisë njerëzore për vajzën e torturuar. Ajo vazhdon të jetojë nën kërcënimin e bandës me pushtet, e cila ka garancinë e Edi Ramës për paprekshmëri”, tha Albana Vokshi, deputete e PD-së.

Albana Vokshi nënvizoi se vajza dhe familjarët e saj nuk janë marrë ende në mbrojtje, pasi mekanizmi i parandalimit të dhunës ndaj grave qëllimisht nuk funksionon, me urdhër të kryeministrit.

“Mediet raportojnë sot një skenar edhe më makabër. Vet Rama po bën çdo përpjekje që ta shfaqë vajzën publikisht para gazetarëve për të shpëtuar kriminelët e veshur me pushtet”, shtoi më tej Vokshi.

Selia blu i rikujtoi kreut të Qeverisë se kush ishte nënkomisar Nuhu, për të cilin thonë se Rama e sulmoi me të njëjtën gjuhë që përdori edhe ndaj komisar Dritan Zaganit.

“Nënkomisari Emiljano Nuhu ishte një nga policët e rinj, i vlerësuar nga të gjitha misionet e huaja në Shqipëri, me të paktën 10 certifikata ndërkombëtare për profesionalizmin dhe ndërshmërinë e tij, që ka ndjekur këmba-këmbës trafikantët e drogës dhe të armëve, me të cilët Edi Rama ndan pushtetin”, deklaroi deputetja demokrate.

PD thotë se, njësoj si në rastin e denoncimeve të Zaganit, për përfshirjen e Saimir Tahirit në trafikun e drogës, edhe këtë herë e vërteta nuk do të mund të fshihet.

Top Channel