Basha reagon ndaj Ramës: I zhytur në krim. Gratë e PD protestë para kryeministrisë

29/09/2018 12:46

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka akuzuar sërish Edi Ramën, pas deklaratës së këtij të fundit mbi rastin e dhunës ndaj vajzës në Fushë Krujë.

Basha shkruan në “Twitter” se Rama “është i zhytur aq thellë në kalbësirën e krimit dhe drogës të pushtetit, sa nuk ka më asnjë gram ndjeshmërie prindërore për një vajzë të përdhunuar”.

  Dhuna ndaj vajzës në Fushë Krujë, Rama reagon për herë të parë

Kreu i PD thotë më tej se krimi shtetëror është projekti personal i Ramës.

“Edi Rama është i zhytur aq thellë në kalbësirën e krimit dhe drogës të pushtetit, sa nuk ka më asnjë gram ndjeshmërie prindërore për një vajzë të përdhunuar dhe të torturuar nga banda e tij. TURP!

Në vend që të mbrojë vajzën jetime, amniston përdhunuesin dhe kriminelët e grupit të tij parlamentar Taulant Balla dhe Rrahman Rraja, njësoj siç bëri me përdhunuesin Elvis Roshi dhe trafikantin e vajzave Arben Ndoka.

Krimi shtetëror është projekti personal i Ramës. Ne do ta çmontojmë nga rrënjët! Politika do të pastrohet nga krimi”, shkruan Basha në “Twitter”.

Për dhunën ndaj Xhisiela Malokut, gratë demokratë dhe intelektuale bënë thirrje poshtë zyrës së kryeministrit, për pjesmarrje në protestën e së hënës, e cila organizohet nga shoqëria civile.

Përmes një deklarate të shpërndarë për mediat grupi i grave deputete socialiste dënoi dhunën ndaj Xhisiela Malokut dhe kërkuan ndëshkimin ligjor të përgjegjësit. Edhe pse pershëndetën solidaritetin e opozitareve për vajzën e dhunuar, socialistet iu bënë thirrje kolegeve demokrate të dalojnë keqpërodrimin publik të Xhisilea Malokut për motive politike.

Top Channel