Vizitën dyditore në Qarkun e Korçës, Edi Rama e nisi nga Prespa, pjesë e projektit “100 fshatrat”. Kryeministri kërkoi që të nxiten njerëzit që jetojnë në këto fshatra me qëllim që të bëhen pjesë e përpjekjes për zhvillimin rural.
“Kemi një program që financon projekte të tilla, financon bujtina, nuk janë kredi por grante. Financojnë edhe hotele që kanë profilin e agroturizmit”, tha Rama.
Një Task Forcë e posaçme, shtoi ai, po ngrihet me qëllim që të ndjekë projektet specifike duke orientuar ata që dëshirojnë të investojnë. Në këtë sens, Rama nuk e fshehu pakënaqësinë.
“Fondi nuk është shumë por nuk është arritur të shfrytëzohet. Për mungesë projektesh, për mungesë ndërveprimi me pushtetin vendor dhe pastaj qeverisë”, u shpreh kryeministri.
Jetesa përmes agroturizmit, sipas Kryeministrit, është më e mirë se ajo në emigracion, arsye për të cilën ftoi ata që janë larguar të investojnë në tokën e tyre.
“Është si e krijuar me dorë për emigrantët që kursimet e tyre t’i investojnë në shtëpinë që kanë lënë e t’i kthejnë kursimet në një investim që i sjell shumë më tepër para”, tha Rama.
Transformimi i këtyre 100 fshatrave përmes zhvillimit rural që sjell rritje të ekonomive lokale, do të jetë shembull, theksoi Rama, për projekte të ngjashme edhe në fshatrat e tjerë të vendit.
Top Channel