Problemet me pronën nuk kanë të sosur në Shqipëri. Një grup banorësh të ish-komunës Rrashbull, sot pjesë e Bashkisë Durrës, sorrollaten pa mundur t’i japin zgjidhje problemit të tyre, edhe pse e kanë fituar në bazë të ligjit 7501 dhe shtrëngojnë në duar aktet e marrjes së tokës në pronësi.
Ata nuk munden ta hipotekojnë pasi toka rezulton ende tokë-shtet, në pronësi të bashkisë.
Pasi e kanë përfituar tokën që shtrihet përgjatë kanalit të ujërave të larta të Nish-Tullës në vitet ’90 në bazë të ligjit për tokën, banorët janë përfshirë në kontrata shitblerjeje me persona të tretë. Kjo situatë ka krijuar një konflikt jo vetëm midis pronarëve dhe bashkisë e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, por dhe midis pronarëve të mëparshëm të tokës dhe blerësve të saj, familje të ardhura nga zona të ndryshme të vendit për një jetë më të mirë në Durrës.
Të prekurit nga kjo situatë kanë protestuar para bashkisë së qytetit bregdetar, duke kërkuar zgjidhje nga autoritetet vendore.
Top Channel