Një jaht me vela rezulton i zhdukur që prej pasdites së të hënës, ndërsa autoritetet greke ende nuk kanë gjetur asnjë gjurmë të tij.

Sipas burimeve lokale, veliera me 5 turistë turq ndodhej në det të hapur, në zonën e Egjeut verior mes ishujve Skiathos dhe Limnos, në kohën që humbi çdo kontakt me sistemet radiondërlidhëse të sistemit të monitorimit të Rojes Bregdetare greke, “Poseidon”.

Humbja e sinjalit nuk u konsiderua si diçka e pazakontë, pasi nuk u shoqërua me sinjal “SOS”, ndaj dhe autoritetet vlerësuan se nuk kishte nevojë për ndihmë.

Por, 24 orë më vonë, prej mjetit lundrues nuk ka ende ndonjë sinjal, ndërsa porti pritës i tij në zonën Ajos Efstratios nuk konfirmoi mbërritjen në destinacion. Sipas protokollit detar, Kapiteneria e Skiathos tentoi të vendosë kontakte me jahtin, por kjo nuk ishte e mundur.

Ndërkohë, edhe Ambasada turke në Athinë njoftoi se 5 turistët turq që ndodheshin në anije nuk kanë komunikuar me familjarët e tyre në Turqi.

Pas këtij zhvillimi, një helikopter nisi kërkimet, por deri tani nuk ka asnjë gjurmë të mjetit lundrues dhe të udhëtarëve që ndodheshin në të.

Në zonë, deti është me fuqi mbi 7-8 ballë dhe kushtet e lundrimit janë shumë të vështira, ndërsa autoritetet vendase janë në alarm për mbërritjen e një vale moti të keq nga zona jugore e Mesdheut, i cili pritet të godasë vendin gjatë orëve të ardhshme.

Top Channel