Prej tre ditësh socialistët presin përgjigje nga Lulzim Basha për atë që mazhoranca e cilëson si skemën e gjobëvënies së kryeopozitarit, përmes së cilës ai akuzohet se kërkon më shumë para’ nga kompanitë e mëdha në vend, me qëllim që të mos u përmend emrat.
“Strategjia që Lulzim Basha përdor është e qartë: sulmo sipërmarrësit për të vjelur taksën e kunatit. Kur nevojiten më shumë para’, Lulzimi i sulmon me emër dhe mbiemër”, tha Spiropali.
Pas rastit të kompanisë “Gener 2”, deputetja socialiste Elisa Spiropali tregoi një tjetër kompani të njohur, “Kastratin”, pronari i së cilës quhet si oligark nga Lulzim Basha, por rezulton se bashkëpunon me kompanitë e kunatit të kryedemokratit.
“Kunati ka përfituar pothuajse 100 milionë lekë nga 3 kompani të zotëruara prej grupit “Kastrati”. Firmat e kunatit përfitojnë prej 10 vitesh një taksë të përvitshme prej këtij grupi. Përse kur Shefqet Kastrati paguan me qindra milionë lekë për kunatin është sipërmarrës i ndershëm, dhe kur kryen punë publike qenka oligark i inkriminuar?”, deklaroi Spiropali.
Sipas socialistëve, tashmë edhe në Partinë Demokratike e kanë kuptuar se kryedemokrati nuk është i interesuar te problemet e qytetarëve, por që t’u bëjë presion kompanive të hedhin më shumë para në kompanitë e familjarëve të tij.
Top Channel