Igli, Ersa dhe Urimi janë tre fëmijë të familjes Çuku, nga Rrajca e Prrenjasit, të cilëve u ka rënë barra e rëndë e kujdesit për nënën e tyre dhe për njëri-tjetrin.
Më i madhi është vetëm 15 vjeç, por fëmijëria për ta mbaroi që kur babai u vetëvar dhe nëna kaloi në depresion. Janë vetëm fëmijë dhe përveç ndihmës së vogël nuk mund të bëjnë shumë për të ndryshuar gjendjen në të cilën ndodhen, në një shtëpi të shkatërruar që çdo ditë rrezikon të shembet.
“Nuk na dalin lekët. Ndonjëherë na ndihmon gjyshi, ndonjëherë shoqatat. Do të donim të kishim rroba, mjete shkollore dhe një shtëpi të mirë”, thonë fëmijët.
Jetojnë me kempin e së ëmës dhe me ndihmën ekonomike, ndërsa gjyshi i tyre ndihmon me sa mundet me pensionin e tij, ndërkohë që bën apel për ndihmë: “Marrin 27 mijë lekë të vjetra asistencë, por duan ushqim, libra etj.”.
Lotët e Ersës të thyejnë zemrën, janë lotët e një fëmijë plot nevoja dhe ëndrra, janë edhe drama e një vogëlusheje që një mëngjes gjeti babanë e saj të varur në dhomë.
Top Channel