Denoncimi i Nuhut, Paloka: Heshtja e Edi Ramës, pjesë e skenarit mafioz

27/09/2018 13:58

Deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka deklaroi se “heshtja e Edi Ramës për skandalin e denoncuar nga nënkomisar Emiljano Nuhu është pjesë e skenarit mafioz për të mbyllur skandalet që ekspozojnë lidhjet e tij dhe bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë me krimin”.

“Dëshmia tronditëse e oficerit të policisë Emiljano Nuhu është pasqyra më e vërtetë e kriminalizimit të thellë të qeverisjes nën drejtimin e Edi Ramës. Heshtja e kryeministrit të vendit pasi një vajzë është torturuar nga djali i deputetit të vet; Heshtja e kryeministrit për aktet kriminale të deputetit Rrahman Rraja; Heshtja e kryeministrit për sjelljen prej banditi të kryetarit të grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, i përfshirë në kërcënimin me pistoletë në kokë të oficerit të policisë; Heshtja e Edi Ramës, që ka shndërruar Policinë e Shtetit në organizatë kriminale, flet më mirë se asgjë tjetër se ai dhe qeveria e tij është gjysma e bandës në pushtet që mbron bandat dhe banditët që kontrollojnë sot territorin, shtetin dhe policinë”, u shpreh Paloka.

“Është kriminale sesi drejtuesit e Policisë së Shtetit, nën urdhrat politikë të Fatmir Xhafës dhe Taulant Ballës, nuk kanë vepruar për të mbrojtur as vajzën nën kërcënimin e banditëve me pushtet, as për të mbrojtur nënkomisar Emiljano Nuhu. Edi Rama nga dje, po zbaton të njëjtin skenar mafioz për të mbyllur skandalet që ekspozojnë lidhjet e tij dhe bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë me krimin. Sa herë ata kapen në flagrancë në bashkëpunim me krimin, Edi Rama vërsul taulantët e tij të lidhur me krimin e organizuar për të sulmuar denoncuesin e krimit, për të prishur provat, për të intimiduar dëshmitarët, për të kërcënuar gazetarët”, shtoi deputeti demokrat.

Top Channel